Çlirim Basha, një nga lojtarët e spikatur të Vllaznisë në fillim të viteve ’90 ka dhënë një intervistë së fundmi për “Panorama Sport”. Mbrojtësi kampion me kuqeblutë ka analizuar ecurinë e kuqebluve deri tani në këtë fillim kampionati.
Duke u ndalur veçanërisht tek humbja e fundit e kuqebluve ndaj Dinamos në shifrat 3-1. Sipas shkodranit, rezultate të tilla janë të pranueshme në startin e edicionit, teksa thekson se ekipi duhet të shikojë vetëm përpara. E ndërsa është shumë optimist për skuadrën e Martinit në edicionin 2025-26 të Superiores.
Basha, një Vllazni disi ndryshe në dy javët e para të kampionatit apo jo?
Shiko, ndeshjet e ndryshme kanë specifika të ndryshme edhe ndaj kundërshtarëve të ndryshëm. Dueli i parë i sezonit ishte kundër Egnatias, një ndeshje që u prit me shumë entuziazëm dhe luhej në Shkodër, ku skuadra dominoi dhe meritoi fitoren. Ndeshja e dytë kundër Dinamos ndoshta solli një Vllazni disi më “ndryshe”, por që besoj se nuk ndikoi aspak tek motivimi i skuadrës dhe ecuria e saj, sepse kampionati sapo ka nisur dhe ka edhe 36 javë të tjera përpara.
Të drejta rezultatet e kuqebluve në këtë fillim sezoni?
Fituesit nuk gjykohen, është ajo shprehja e famshme dhe rezultatet kanë qenë të drejta për atë çfarë është dhënë në fushën e lojës. Ndaj Dinamos ishte një humbje që erdhi edhe për meritë të kundërshtarit. Që arriti të shfrytëzojë rastet e tij dhe të ishte më cinik e po ashtu më kërkues ndaj suksesit përfundimtar. Kështu që, në përgjithësi, skuadrat kanë marrë atë çfarë kanë merituar në fushën e lojës.
Çfarë nuk shkoi në humbjen e fundit ndaj Dinamos?
Për mendimin tim, Vllaznia e nisi mirë lojën, duke u imponuar disi ndaj dinamovitëve. Por ata shënuan golat dhe kjo është ajo çfarë ka vlerë në futboll. Them se në ndeshjen ndaj Dinamos kishte disa gabime individuale, por edhe të reparteve, siç ishte mbrojtja. Që qëndronte shumë e hapur dhe në distancë, duke lejuar shumë hapësira për kundërshtarin, të cilat u shfrytëzuan në maksimum nga ana e tyre.
Mund të interpretohej ndryshe loja?
Pas ndeshjes mund të flitet gjithmonë se çfarë mund të bëhej më mirë apo ndryshe. Por, siç e theksova, ndoshta mbrojtja duhej të ishte disi më e kujdesshme, duke parë edhe cilësitë në sulm të Dinamos. Që mendoj së bashku me Vllazninë do të jenë pretendentët kryesorë për titullin kampion këtë sezon në Superiore.
Duket sikur skuadra ende nuk e ka 100% të formës fizike?
Kjo është e kuptueshme, sepse pas ndeshjeve të kupave të Europës dhe fazës përgatitore verore, gjunjët dhe këmbët e futbollistëve janë të rënduar. Skuadra u duk disi e “lodhur” dhe kjo është e kuptueshme, pasi jo të gjithë futbollistët janë në 100% të formës së tyre fizike, prandaj ndoshta duhet të presim edhe pak kohë para se të japim një mendim përfundimtar për gjendjen e ekipit.
Sa do i shërbejë skuadrës ky pushim 10-ditor i kampionatit?
Për Edin (Martinin) këto ditë do të jenë ditë studimi dhe pune, sepse do të kërkojë të sjellë në formën e duhur gjithë elementët që ka, nga të cilët pritet shumë në fushën e lojës. Besoj se ka ardhur një pushim në momentin e duhur dhe kam mendimin se do të kemi një Vllazni më të fortë me rikthimin e kampionatit. Ku po ashtu edhe grupi i futbollistëve do të jetë më i plotë dhe do të sjellë më shumë cilësi në fushën e lojës.
Si e mendon ecurinë e kuqebluve këtë edicion?
Jam shumë optimist, jashtëzakonisht mund të them. Kjo është një skuadër që më jep shumë shpresë për një sezon të shkëlqyer dhe me pretendime të mëdha. Është bërë një punë e mirë nga ana e drejtuesve të klubit, duke sjellë në skuadër futbollistë që kanë vlera. Tashmë ajo punë e drejtuesve dhe stafit teknik duhet shpërblyer në fushë nga ana e futbollistëve. Pasi ndryshe asgjë s’do të ketë vlerë më pas.
Së fundmi, si do e vlerësoje merkaton e klubit gjatë kësaj vere dhe çfarë mund të presim nga futbollistët e afruar?
E thashë që meriton një notë shumë pozitive, por ne ende jemi në pritje të shohim në aksion Kallakun, Kastratin apo edhe Bismark që erdhi së fundmi. Besoj se me arritjen e tyre të formës optimale do të shohim një Vllazni shumë sulmuese dhe siç e kërkon tradita dhe opinioni i futbollit në qytet. Prandaj kam besimin se do të shohim një Vllazni shumë të fortë dhe me lojë për t’u shijuar në javët e ardhshme.