Lamin Jamal sfidon të gjithë. Ai në një intervistë pak më shumë se dhjetë ditë para se të ndahet Topi i Artë më 22 shtator është shprehur se është gati për shumë trofe. Anësori i Barçës është shumë ambicioz dhe e bën të qartë se nuk mjaftohet vetëm me një trofe të këtij lloji. “U thashë miqve të mi, nuk ëndërroj të fitoj një Top të Artë , ëndërroj të fitoj shumë”, deklaron ai.
“Unë jam një lojtar që kam aftësinë ta bëj këtë. Nëse nuk e bëj, është sepse nuk i kam bërë gjërat siç duhet ose sepse nuk kam dashur. Ëndërroj të fitoj shumë, dhe ditën që do të arrij atje do të jem shumë i lumtur, por do të dua të vazhdoj të fitoj më shumë dhe të fitoj me ekipin tim”, shton Lamin Jamal.
Lojtari i Barçës është një nga pretendentët kryesorë për të fituar çmimin më 22 shtator në Paris. Përveç anësorit, 30 të nominuarit përfshijnë Dembele, Vitinja, Pedri, Belingam, Kein, Lautaro, Mbape dhe të tjerë, të cilët janë kandidatë potencialë për trofeun prestigjioz. Nëse Lamine Jamal fiton çmimin e lakmuar, ai do të bëhet lojtari më i ri që e fiton këtë çmim, pasi mbushi 18 vjeç korrikun e kaluar.