Kombëtarja shqiptare e futbollit mposhti 1-0 Letoninë në Tiranë me golin e Kristjan Asllanit nga penalltia dhe mori vendin e dytë në Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026. Por, si ishte loja e kuqezinjve?
Ish-sulmuesi i Kombëtares, Altin Rraklli për Report TV thotë se trajneri Sylvinho duhet të ndryshojë sistemin e lojës, pasi në të kundërt do ta kemi shumë të vështirë të japim rezultate të mira. Rraklli thotë për gazetarin Andi Kapxhiu se gjatë ndeshjeve kualifikuese për kampionatin europian patëm një ekip të mrekullueshëm, por nuk po e tregojmë më.
“Nuk është problemi i presionit se çdo ndeshje ka presionin e vet. Profesionisti jeton me këtë presion çdo ditë, çdo ndeshje duhet ta fitosh. Vazhdimësia jonë, duke e lidhur edhe me vitin që shkoi, nuk ka ndryshuar shumë në mënyrën tonë të lojës. Ne duhet të ndryshojmë, se me këtë sistem loje dhe me këta njerëz, me të njëjtën natyrë loje, ndryshe nuk do e kemi në vazhdimësi atë që ne kaluam në eliminatorët para Kampionatit Evropian, patëm një ekipi të shkëlqyeshëm, nuk po e tregojmë më. Është bëtë monton ky lloj sistemi”, tha Rraklli në Report Tv.
Ish-sulmuesi shprehet se trajneri i kuqezinjve duhet të kishte bërë më herët ndërrime mes lojtarëve.
“Kemi Brojën dhe Bajramin, që nuk i kemi 100% të formës së tyre. Ndërhyrjet duhet të ishin bërë pak më herët. 25 minutat e fundit të ndeshjes, Letonia po na vinte në vështirësi, po na mbante në gjysmë fushën tonë. Në ato momente trajneri duhet të ndërhynte, ta freskonte skuadrën dhe me 4 lojtarë njëkohësisht”, tha Rraklli.
Ai u ndal më pas edhe te ndeshja e radhës me Serbinë, më 11 tetor në Beograd. Veç ndeshjes deçizive për fatet e Grupit K, ky duel mbart edhe të tjera emocione veç anës sportive.
“Fitorja e djeshme nuk na jep siguri për ndeshjet e ardhshme. Do kemi ndeshjen në Serbi, duhet të jemi shumë më lart se sa dje, nëse duam të përballemi. Edhe ata kanë ndeshjen e jetës, edhe ata kërkojnë vendin e dytë dhe fitorja karshi nesh ia siguron vendin e dytë. Është ndeshje deçizive. Duhet të jemi shumë më të përgatitur si skuadër, më cinikë, që ajo ndeshje mos të na gjejë si dje.
Nga ana e angazhimit s’kemi gjë për të thënë, të gjithë lojtarët dhanë maksimumin, por duhet të shohim pozicione të ndryshme, me lojtarë të ndryshëm. Duhet të aktivizojmë lojtarët që janë më të mirë fizikisht dhe më të përshtatshëm. Ajo ndeshje vulos çdo gjë, ajo është ndeshja përfundimtare. Nëse do humbim, vështirësohet situata, bëhet e pamundur që t’i të marrësh një shans”, tha Rraklli.
Ish-sulmuesi u ndal edhe te forma e lojtarëve, ndërsa për Brojën dhe se ende nuk e ka fituar sigurinë.”Mesi i fushës nuk është se nuk dha, dha gjithçka, si Asllani, Shehu dhe Laçi, ishin super për lojën që bëjnë dhe karakteristikat që kanë. Skuadra ka nevojë për lojtarë më shumë ofensivë në qendrën e mesit të fushës.
Nëse presim nga Broja në krah të djathtë, nuk mori shumë iniciativa, një kundra një, dje nuk i mori. Akoma nuk ka fituar atë sigurinë e vet, se i mungojnë minutat, golat, i mungon ana psikologjike. Bajrami gjithashtu, edhe atij i mungojnë”, tha Rraklli. Kombëtarja mban vendin e dytë në Grupin K kualifikues dhe ndeshja e radhës për tanët është më 11 tetor në Beograd kundër Serbisë.