Nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia ka marrë një goditje të rëndë përpara ndeshjes së fundjavës në Superiore ndaj Partizanit. Nga burime të “Shkodra Sport” mësohet se portieri titullar, Aron Jukaj, do të mungojë të paktën një muaj për shkak të një dëmtimi të pësuar gjatë angazhimit me Kombëtaren U-21.
Jukaj ishte titullar në sfidën e së enjtes ndaj Zvicrës, por në minutat e fundit pësoi një dëmtim pas përplasjes me shtyllën në episodin që solli autogolin e tij. Pas ndërhyrjes së stafit mjekësor, portieri u detyrua të linte fushën, ndërsa më pas kontrollet mjekësore konfirmuan dëmtimin në shpatull, që do ta mbajë larg fushave për rreth një muaj.
Ky zhvillim vjen në një moment jo të lehtë për kuqeblutë, pasi Jukaj konsiderohej në formë më të mirë se gjermani Pohls, i cili nuk kishte arritur t’i merrte vendin e titullarit. Tashmë, përgjegjësia në katërkëndor do t’i kalojë portierit gjerman, ndërsa stafi teknik i Vllaznisë duhet të riorganizojë skuadrën në një nga pozicionet më delikate.
Mungesa e Jukajt është një shqetësim i madh për kuqeblutë, që në sfidën ndaj Partizanit synojnë rikthimin te fitorja pas pauzës së kampionatit.(www.shkodrasport.com)