Vllaznia do të presë ditën e nesërme në “Loro Boriçi” skuadrën e Partizanit. Një duel i cili premton të jetë mjaft emocionues dhe spektakolar, duke marrë parasysh edhe duelet e të kaluarësë.
Në prag të kësaj përballjeje ka folur Melos Bajrami. Titullari i Vllaznisë ka theksuar se ekipi ka mësuar nga gabimet dhe tashmë janë gati për “Demat”.
Ndër të tjera ka nënvizuar se si rivalët kryesorë për titullin në këtë sezon shikon Egnatian dhe Partizani, teksa “injoron” Dinamon e Ilir Dajës apo Tiranën.
“Është një sfidë që e kemi përgatitur gjatë gjithë javës, jemi gati për ndeshjen e nesërme, besoj që gjithçka do të shkojë mirë dhe po e presim me padurim. Ka qenë një humbje që na ka dhembur, por nga çdo humbje e merr një mësim dhe kemi mësuar që ato gabime mos ti bëjmë më. Kemi pasur kohë gjatë kësaj kohe dhe tani jemi të bindur që do të bëjmë më mirë në situata të caktuara. Strategjinë do e lemë te ndeshja, jemi fokusuar dhe kemi analizuar të gjitha pikat e tyre, besoj jemi të gatshëm dhe gjithçka do të shkojë mirë. Jam përshtatur mirë, prurjet e reja e kanë treguar veten, që janë pjesë e rëndësishme e ekipit.
Ky është viti im i dytë në Shkodër, gjithçka ka shkuar mirë për mua, kemi një ekip më të plotë se vitin e kaluar tani të shohim. Lojtarët e stolit nuk kanë ndonjë diferencë të madhe me ata që e nisin titullar. Pretendete besoj janë edhe ato skuadrat që kanë qenë vitin e kaluar, ne do të marrim ndeshje pas ndeshje, dhe të rëndësishme janë 3 pikët e ndeshjes së ardhshme. Egnatia dhe Partizani janë rivalët më të fortë të Vllaznisë.
Nuk e kam problem pjesën e formacionit, do mundohem ta bëj punën siç ma kërkon trajneri. Si ekip i vlerësojmë të gjitha njësoj, do jemi të fokusuar 100% dhe të marrim fitoren. Shpresoj të kem paraqitje sa më të mira këtë sezon dhe të ndihmoj ekipin”, ka theksuar Bajrami. Kujtojmë se sfida do të luhet ditën e nesërme duke nisur që nga ora 19:00.