Vllaznia do të luajë sot në ora 19:00 në stadiumin “Loro Boriçi” ndeshjen e javës së tretë të “Abissnet Superiore” ndaj Partizanit. Një takim që pritet me shumë interes edhe nga tifozëritë e të dy ekipeve. Në Shkodër kuptohet që pritshmëritë janë të mëdha për skuadrën e tyre e cila sivjet është mirëinvenstuar në merkato duke sjellë në rradhët e saj lojtarë cilësorë.
Por nga ana tjetër ka ende dilema se cilët lojtarë do të preferohen nga trajneri Martini për këtë takim. Në fakt ai ka disa dilema dhe ndoshta vetëm në momentet e fundit do të vendosë për to. E sigurtë sakaq është që në portë do të jetë gjermani Leon Pohls. Kjo sepse Aron Jukaj është dëmtuar në ndeshjen me kombëtaren U21 dhe do të jetë i pamundur për të qenë në fushë në këtë përballje.
Në mbrojtje me shumë mundësi do të jetë sërish një rreshtim me tre lojtarë, e pikërisht me Bajramin, Gjinin dhe Kouro. Në mesfushë do të luajnë Gurishta e Yago nga krahët, ndërsa në qendër me shumë siguri do të jetë sërish dyshja Droos- Qato. Para tyre nuk përjashtohet mundësia të luajë Kallaku këtë herë.
Dilema më e madhe është se kush do të luajë në sulm. Balaj duket i sigurtë, por kush do jetë përkrah tij, kjo ende nuk është vendosur. Gjasat janë që të jetë sërish Mala, por nuk përjashtohet mundësia që të luajë edhe njëri prej dyshes Kastrati- Bismark.
Pavarësisht këtyre pikëpyetjeve se kush do të jetë në fushë, një gjë është e qartë: Vllaznia nuk do të jetë e kënaqur as me barazimin në këtë 90 minutësh dhe prandaj do të japë gjithçka për ta fituar këtë përballje me njërin prej rivaleve të saj.(www.shkodrasport.com)