Zbatimi i sistemit VAR ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën e gjykimit në futbollin botëror dhe padyshim edhe në atë shqiptar. Për këtë temë ka folur ish-arbitri i njohur i Kolegjiumit të Shkodrës, Tef Prela, i cili ka arbitruar ndeshje në vitet ’70-’80.
Në intervistën e tij për RTSH, Prela thekson se futbolli shqiptar ka bërë hapa përpara falë teknologjisë, e cila i ka dhënë arbitrave më shumë siguri dhe ka ulur gabimet vendimtare që ndikojnë në rezultatin e ndeshjeve. Ai kujton kohën kur arbitrimi bazohej vetëm në vendimet e fushës dhe pohon se sot sporti është më i drejtë dhe më transparent.
Prela nënvizon gjithashtu rëndësinë e formimit profesional të arbitrave dhe trajnimit të vazhdueshëm, për të shfrytëzuar në maksimum mundësitë që ofron sistemi VAR në futboll.