Nga Endri ÇINARI
Shenjat e para i dha që në ndeshjen me Dinamon ku dhuroi një asist, por e vërtetoi formën në ngritje edhe ndaj Partizanit. Fjala është për Esin Hakajn, mbrojtësin e majtë të Vllaznisë që madje arriti të shënonte edhe një gol në sfidën e fituar 4-1 ndaj të kuqve. Duke qenë një nga më të mirët në fushë në minutat ku ai u aktivizua.
28-vjeçari zbriti në fushë në minutën e 60-të të ndeshjes duke zënë vendin e Jagos. Me brazilianin që e kishte nisur si titullar ndeshjen dhe realisht kishte zhvilluar një performancë individuale shumë pozitive. Por, një ndëshkim me karton i tij, “detyroi” trajnerin Martini ta zëvendësonte kokë më kokë me Hakajn. Ku ky i fundit nuk zhgënjeu aspak, madje i dha një tjetër ritëm krahut të majtë të Vllaznisë. Dhe me inkursionet e tij u shndërrua në një shqetësim të vazhdueshëm për prapavijën e Partizanit.
Aq sa trajneri Milinkoviç i kryeqytetasve vendosi të hedhë në fushën e lojës një forcë të freskët si Marku për të mbuluar Hakajn. Por, një lëvizje që do sillte shumë pak efekt, me ish-futbollistin e Teutës që tregoi një formë shumë të mirë sportive e duke u shpërblyer me gol në minutën e 93-të të ndeshjes. Ku në ndjekjen e një aksioni si një sulmues i vërtetë arriti të dërgonte topin në rrjetë për shifrat momentale 3-1, që siguruan shkodranëve 3 pikët.
Një formë e tillë në ngritje e Hakajt, por edhe futbollistëve të tjerë që vijnë nga pankina patjetër “ngroh” stafin teknik. Që mund të ketë besimin e plotë për futbollistët që hidhen në fushën e lojës si zëvendësues, duke parë që diferencat me ata që konsiderohen si titullarë janë shumë të vogëla. Me 9 herë kampionët e vendit që janë të dubluar në çdo rol me futbollistë cilësorë dhe që mund të bëjnë diferencën në çdo çast.(www.shkodrasport.com)