Manchester United po kalon një periudhë të vështirë që kur Ruben Amorim mori drejtimin e skuadrës më 11 nëntor të vitit 2024. Nën drejtimin e trajnerit portugez, “Djajtë e Kuq” kanë zhvilluar 31 ndeshje në Premier League, duke grumbulluar vetëm 31 pikë, mesatarisht një pikë për ndeshje.
Skuadra ka shënuar 36 gola, por ka pësuar plot 49, duke regjistruar një golavarazh negativ prej –13. Këto shifra e rendisin United në vendin e fundit mes 17 klubeve që kanë qenë pjesë e Ligës Premier gjatë këtij dhe sezonit të kaluar.
Tottenham ka grumbulluar gjithashtu 31 pikë në të njëjtën periudhë, por falë një diference më të mirë golash (–4 kundrejt –13), qëndron një hap përpara United.
Ndërkohë, rivalët historikë kanë shkëlqyer: Liverpool ka mbledhur 68 pikë, Arsenal 64, Chelsea 58 dhe Manchester City 54, duke e thelluar edhe më shumë kontrastin me ecurinë e dobët të United.
Këto statistika e vendosin Ruben Amorim përballë presionit të madh, pasi pritshmëritë e klubit dhe tifozëve janë larg performancës aktuale. /Telegrafi/