Françesko Açerbi është bërë temë diskutimi sot në Itali, pas vendimit të mbrojtësit për t’u tërhequr nga lista e përfaqësueses së Italisë për ndeshjen e qershorit ndaj Norvegjisë. Një ditë pas humbjes në finalen e Ligës së Kampioneve, ishte vetë trajneri Luçiano Spaleti ai që dha lajmin se lojtari ishte tërhequr duke i dërguar fillimisht një mesazh gjatë ditës së sotme.

Spaleti theksoi se vendimi kishte qenë i mbrojtësit dhe çdo gjë duhej analizuar në vijim. Por pak më vonë ka ardhur edhe vetë reagimi në rrjete sociale i futbollistit të Interit, i cili nuk është kursyer ndaj trajnerit duke e akuzuar se nuk po tregon respekt ndaj tij.

“Pas reflektimit të thellë, i kam komunikuar sot trajnerit se nuk do ta pranoj thirrjen në ekipin kombëtar. Nuk është një vendim i marrë lehtë, sepse veshja e fanellës të kaltër ka qenë gjithmonë një nder dhe një burim krenarie për mua. Megjithatë, kam besuar se, si rrjedhojë e ngjarjeve të fundit, kushtet nuk ekzistojnë sot për të vazhduar qetësisht në këtë rrugë. Nuk po kërkoj justifikime apo favore, por kërkoj respekt. Dhe nëse ky respekt mungon nga ata që duhet të udhëheqin një grup, atëherë preferoj të largohem.

Nuk jam dikush që kapet pas një thirrjeje: Gjithmonë kam dhënë gjithçka, por nuk qëndroj aty ku nuk më duan me të vërtetë dhe është e qartë se nuk jam pjesë e projektit të trajnerit. Ky është vendimi im, dhe siç i thashë trajnerit këtë mëngjes, nuk është përfundimtar dhe as i diktuar nga zemërimi, aq më pak nga ‘depresioni’ për një finale të humbur të Ligës së Kampionëve, por vetëm nga nevoja për të bërë një hap prapa. I uroj më të mirën ekipit kombëtar dhe shokëve të mi të ekipit, do të vazhdoj t’i mbështes me të njëjtën dashuri që kam treguar gjithmonë në fushë”, ishin fjalët e Açerbit në postimin e tij.