Ditën e djeshme në ambientet e FSHF-së u zhvillua konferenca e shtypit për prezantimin e turneut ndërkombëtar “Eagle Cup”, një ekskluzivitet ky i turneut më prestigjioz të futbollit në Europë- “Viareggio Cup”. Siç është bërë e ditur nga drejtuesja e Fondacionit “AlbItSol”, Vasenka Rangu Leka, në këtë edicion të parë të këtij turneu, do të marrin pjesë 12 ekipe.

Gazeta “Shkodra Sport” mëson se njëri prej 12 ekipeve pjesmarrëse do të jetë edhe Vllaznia U19 e drejtuar nga trajneri Elvis Plori. Ftesa nga ana e organizatorëve ka disa ditë që ka mbërritur në zyrat e klubit shkodran dhe drejtuesit e tij e kanë konfirmuar tashmë pjesmarrjen.

Padyshim që kjo është diçka shumë pozitive sepse kemi të bëjmë me një turne tek i cili do të jenë të përqendruar sytë e shumë menaxherëve dhe skautëve që do të jenë të pranishëm dhe për më tepër të pranishme në Tiranë do jenë edhe shume media prestigjioze italiane dhe jo vetëm.

Pikërisht kjo gjë e shton edhe më shumë dëshirën e paraqitjes dinjitoze të ekipit shkodran i cili do të masë forcat me ekipe të tilla si Atalanta, apo dhe me ekipe spanjolle, franceze e afrikane. Kujtojmë që “Eagle Cup” do të organizohet në datat 8-15 qershor në Tiranë nga Fondacioni “AlbItSol”, Federata Shqiptare e Futbollit dhe Universiteti i Sporteve në Tiranë.

“Eagle Cup”, një ekskluzivitet i të mirënjohurit “Viareggio Cup” pritet të kthehet në një turne të përvitshëm në vendin tonë dhe ideja është që vitet e ardhshme pjesmarrja të jetë edhe më e madhe. Sivjet është menduar që aktiviteti të bëhet me ekipet U19.(www.shkodrasport.com)