Randal Kolo Muani dukej sikur do përfundonte te Juventusi, pasi bardhezinjtë kërkuan me javë të tëra një marrëveshje me PSG-në. Por në fund ai shkoi te Totenhemi, ndërsa bardhezinjtë morën Openda. Prapaskenat e marrëveshjes që nuk u realizua, janë publikuar në mediat franceze, me një “kërcënim” të Al Khelaifit ndaj torinezëve.
Presidenti i PSG-së, me sa duket është ndjerë i ofenduar nga mënyra se si Juventusi nuk po mbyllte negociatat. Sipas “Sport Zone”, në orët e fundit të merkatos, ai ka telefonuar homologët te Juventusi për t’i bërë të qartë qëndrimin e tij.
“U tallët për javë me radhë, mori fund. Me mua nuk do të fitoni. Do i kujtoj metodat tuaja, më besoni”:, kanë qenë fjalët e tij, para se të telefononte menaxherët e Kolo Muanit.
Ai u kishte bërë të qartë atyre që të gjenin cilindo klub tjetër pasi ishte i hapur për negociata, por jo me Juventusin, pasi lojtari nuk do të shkonte atje. Kjo shpjegon se pse Kolo Muani përfundoi te Totenhemi me kushte financiare shumë më të ulëta për anglezët se sa kishin ofruar italianët.