Nga Gjergj KOLA

Nëse flasim për gjimnastikën shkodrane të femrave, emri i parë tek i cili padyshim që do të ndalesh, është ai i Ermira Mandijës. Njërës prej gjimnasteve më të mira të Vllaznisë, por edhe të Shqipërisë në vitet ’70- ’80.

Po ndalemi sot tek ky personazh sepse kjo ditë përkon me përvjetorin e 65-të të lindjes së saj dhe me këtë rast, në emër të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj, i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Ajo ka lindur në Shkodër më 14 korrik 1960 dhe e ka nisur sportin në moshë të vogël dhe jo rastësisht. Mira ishte nxënëse në shkollën 8 vjeçare “Ali Laçej” që ishte e profilizuar për gjimnastikën dhe mësues në atë shkollë ishin emra të tillë si Bardhyl Hoxha, Nurije Rama, Bep Çefa, e më vonë u afrua edhe Vjollca Medja. Dhe në fakt ka qenë Nurije Rama ajo që në një ditë të bukur e sheh protagonisten e këtij shkrimi duke bërë paralele në oborrin e shkollës dhe e fton t’i bashkohet ekipit të të rejave të Vllaznisë.

Tre muaj më vonë do të zhvillonte garën e saj të parë, atë të kategorisë së dytin në ekip dhe të gjashtin në rang kombëtar. Por pak muaj më vonë do të vinte edhe titulli i parë kampion për të reja e kështu gradualisht do të vinin edhe sukseset e njëpasnjëshme edhe me rriturat, shoqëruar me tituj kampion e medalje të shumta.

Nën drejtimin e trajnerit Bardhyl Hoxha, Vllaznia e gjimnastikës në vitet 1975- 1985 do të arrinte majat dhe sukseset do të ishin të shumta dhe në krye të këtyre suksese padyshim që do të ishte Ermira Mandija, një nga emrat më të spikatur të gjimnastikës shkodrane në vite.

Por për të mësuar më tepër në lidhje me karrierën e kësaj sportisteje, ju ftojmë të dëgjoni rrëfimin e saj në PODCAST-in tonë ku flet për gjithçka ajo ka arritur në këtë sport.