Shpëtim Duro mendon se klubet shqiptare nuk kanë hyrë me seriozitetin e duhur në këtë edicion në Kupat e Europës. Duke marrë si shembull Egnatian e Partizanit, trajneri i njohur gjatë një interviste të dhënë për “Sport News” ka analizuar paraqitjet në këtë edicion të skuadrave që morën pjesë në turin e parë.
Gjatë bashkëbisedimit me moderatoren Trevisa Tufa, Duro ka nxjerrë në pah problemet që kanë shfaqur këto skuadra, si në përgatitjen e ndeshjeve, ashtu edhe në seriozitetin me të cilin përballën kundërshtarët që kishin përpara.
Dy nga tre ekipet e para, Egnatia dhe Partizani u eliminuan nga Europa që në raundet e para. Kaq dobët jemi Duro? A është Evropa pasqyra e vërtetë e nivelit të futbollit tonë? Ku po gabojmë vit pas viti?
Eufori qysh në momentin e hedhjes së shortit. Shikoj deklarata të papërgjegjshme, që tentojnë që në momentin e parë, të kalojnë fazën e grupeve. Sido që të jetë, ne jemi skuadra shqiptare. Ne duhet të ngjitemi shkallë-shkallë.
Duro, e prisje eliminimin e Egnatias, për më tepër në atë formë, 5-0 ndaj Breidablik?
Nuk e prisja. Egnatia nuk po bën hapin e duhur në Europë, në 3 pjesëmarrje, është eliminuar që në turin e parë. Gjithsesi, ka fat, shpresoj që në Conference League të rikuperojë. Pashë momente euforie te Egnatia pas ndeshjes së parë. Nuk e kanë marrë seriozisht rivalin, edhe interpretimi në pjesën e parë linte shumë për të dëshiruar. Egnatia nuk e meritonte atë rezultat. Të shikojmë në vijim.
Të shqetëson ky eliminim, kishte përballë një ekip në vendin e tre në Islandë, pse kjo diferencë kaq e madhe?
Ky ishte momenti euforik, pasi menduan se fituan këtu. Egnatia është më lart në nivelin financiar. Është skuadër që para dy sezonesh kaloi në fazën e grupeve në Conference League, ndërsa Egnatia nuk e ka atë eksperiencë.
Vijojnë aventurën në turin e dytë të Conferencë League, luajnë kundër bjellorusëve të Dinamo Minsk, mendon se do të kalojnë këtë pengesë, sa shanse i jep Egnatias? Do ishte një zhgënjim nëse nuk kalojmë asnjë tur në Evropë?
E njoh mirë presidentin e Egnatias, ai kërkon shumë, por duhet të vlerësohet rivali. Egnatia duhet të reagojë për të justifikuar atë ekip që ka patur në kampionat dhe atë investim të presidentit.
Një eliminim të rëndë, besoj, pësoi dhe Partizani përballë estonezëve të Kalju. E prisje? Çfarë bëri keq Partizani?
Edhe në ndeshjen e parë, dominoi rivali. Edhe në ndeshjen e kthimit, Kalju përdori strategji të caktuara, u mbrojt dhe shfrytëzoi atë momentin e duhur. Partizani nuk bëri para spektatorëve të vet atë lojë. Kundërshtari, thashë, një rival që është në vendin e katërt në Estoni, të eliminojë Partizanin, është një goditje e rëndë. Kjo është goditje e rëndë për të gjithë. Kjo është që duhet t’i kalojnë shkallë-shkallë turet.
Ishte ky një dështim i paralajmëruar që një vit më parë, me ato largime masive?
Nuk jam dakord. Partizani është emër i madh, ka të bëjë fakti se çarë lojtarësh sjell. Partizani humbi kampionatin, u eliminua nga kupa. Është shumë e rëndësishme përzgjedhja e lojtarëve. Rëndësi ka të dish të përzgjedhësh.
Sa do ndikojë ky eliminim edhe për sezonin e ri?
Kur janë këto rezultate, krijohen situata. Aty duhet një punë e madhe, ajo që më bën përshtypje është se ka më shumë drejtues se futbollistë. Merkato, problemi i lojtarëve, ardhja e futbollistëve… Eliminimi tregoi që Partizani nuk është aty ku duhet.
Shpëton Vllaznia, trembi pak pas humbjes 1-0 në sfidën e parë, por fituan me “poker” golash ndaj Daugavpils. Si e pe Vllazninë në këtë përballje dyshe, të “ngroh” ky ekip?
Vllaznia ka ekip të mirë, reagoi mirë dje, kualifikimi ishte detyrim ndaj një rivali modest. Vllaznia e bëri detyrën, tani testi i vërtetë është Vikinguri i Islandës. Vikinguri është fotokopje e Breidablik. Janë ekipe kompakte, janë ekipe që nuk kanë investime të mëdha, por i përgatisin mirë ndeshjet.
Nga turi i dytë e nis Dinamo, luan kundër Atletik D’Eskaldes të Andorrës. Mendon se është gati Dinamo për këtë aventurë në Evropë pas kaq shumë vitesh. Besoj se kaq shumë fat sa Dinamo nuk mund të kishte…
Besoj se Dinamo ka nxjerrë mësime, besoj se do e vlerësojë në maksimum, ka edhe teknikun me përvojë, kjo ka shumë rëndësi. Them se Dinamo do e kalojë turin.
Duro, sot u hodh dhe shorti për sezonin e ri. Si i vlerësoni ndryshimet e skemës, për hir të së vërtetës ke qenë një nga ato zërat kundër të skemës që u aplikua në dy sezonet e fundit. Çfarë impakti beson se do të ketë formula e re?
Reagim pozitiv për ndryshimin e skemës, të gjithë njerëzit e futbollit kanë qenë kundër. Besoj se është diçka normale edhe ky përgjysmimi i pikëve. Nuk ka mundësi që një ekip të jetë i pari gjithë kampionatin dhe në fund të zerohen pikët. Ky ndryshim ishte për mirë.