Carlo Ancelotti ka lënë të kuptohet se nuk e përjashton një rikthim për një mandat të tretë në stolin e Real Madridit, pasi të përfundojë aventura e tij me kombëtaren e Brazilit. Në një intervistë për L’Equipe, trajneri italian u shpreh: “Real Madridi është i vetmi ekip që do të pranoj të drejtoj pas Brazilit.”
Tekniku italian kujtoi edhe vështirësitë e sezonit të kaluar me Los Blancos, ku problemet e shumta me lëndimet e komplikuan rrugën drejt sukseseve të mëdha. “Sezoni i kaluar ishte i ndërlikuar. Nuk arritëm suksesin që dëshironim. Pësuam shumë lëndime në mbrojtje, ishte e vështirë të krijonim një ekip të fortë dhe të mbështesnim cilësinë sulmuese që kishim,” deklaroi ai.
Ancelotti përmendi edhe emrat kryesorë të mbrojtjes që munguan për periudha të gjata, si Militão, Rüdiger, David Alaba, Ferland Mendy dhe Dani Carvajal. “Kishte ndeshje ku kishim vetëm dy mbrojtës të vërtetë, dhe njëri prej tyre ishte Raul Asencio, i cili sapo kishte ardhur nga akademia, megjithëse ishte i mirë,” theksoi italiani.
Aktualisht, Ancelotti është i kontraktuar me Brazilin deri në fund të Kupës së Botës 2026, ku do të kërkojë të shkruajë histori me Seleçaon. Megjithatë, deklarata e tij për Real Madridin i ka bërë tifozët madrilenë të ëndërrojnë për një rikthim të mundshëm, edhe pse klubi nuk ka gjasa ta rikthejë atë në një mandat tjetër në një të ardhme të afërt.
Për momentin, e ardhmja e Don Carlos është e lidhur me Brazilin, por dera e Santiago Bernabeu mbetet gjithmonë e hapur për trajnerin që ka fituar gjithçka me Los Blancos. /Telegrafi/