Nga Maringlen ZHIVANI

Te Vllaznia ka nisur një erë e fortë ndryshimesh. Në fakt, që me ardhjen e trajnerit Edi Martini, tek ekipi kuqeblu ka patur edhe rregulla të reja. Ardhja e tij ka sjellë një frymë të re, teksa përveç rregullave strikte dhe të zakonshme që ka çdo trajner, Martini ka një armë plus: mirësinë, sjelljen, por edhe harmoninë.

Në një kohë kur përgatitjet për sfidat europiane vazhdojnë me intensitet, Edi Martini duket se ka gjetur “armën” më të fortë të Vllaznisë. Nga skuadra, ai ka kërkuar grup të bashkuar dhe jo të përçarë, teksa me të gjithë futbollistët qëndron afër. Martini drejton me korrektësi seancat stërvitore dhe ka futur frymën e grupit në skuadër.

Trajneri shkodran është i njohur për mënyrën se si menaxhon grupin dhe për vëmendjen që i kushton aspektit psikologjik dhe motivues të ekipit. Burime pranë klubit bëjnë me dije se atmosfera në dhomat e zhveshjes është shumë pozitive, me futbollistët që tregojnë respekt të ndërsjellë dhe përkushtim maksimal në stërvitje.

Bashkëpunimi mes futbollistëve të rinj dhe atyre me përvojë është një tjetër element që i jep më shumë siguri stafit teknik. Edi Martini ka theksuar shpesh se “nuk fitojnë emrat, por grupi” dhe këtë filozofi po e zbatojnë me përpikmëri të gjithë tek Vllaznia. Rezultatet e para, si dhe performanca në ndeshjen ndaj Vikingur, treguan një skuadër me identitet dhe karakter. Padyshim, një situatë që i kënaq të gjithë te Vllaznia. Shkurt, arma e Martinit është grupi.

Si ish-futbollist i madh, ai e di mirë se individualisht mund të fitosh ndeshje, por grupi është ai që të shpall kampion. Në një sezon ku Vllaznia synon të jetë pretendente në kampionat dhe të ecë sa më gjatë në Europë, forca e grupit mund të bëjë diferencën. Harmonia, disiplina dhe fryma e bashkëpunimit janë aktualisht “arma sekrete” e trajnerit Edi Martini në ndërtimin e një Vllaznie solide dhe konkurruese.(www.shkodrasport.com)