Goli i Bukajo Sakas bëri diferencën për Arsenalin ndaj Milanit, me një mori lojtarësh që morën minuta të rëndësishme teksa skuadra e Artetas përgatitet për sezonin e ri 2025-‘26. Pas fitores, trajneri i londinezëve vlerësoi performancën e të gjithë skuadrës së tij, përfshirë yjet e akademisë, me lojtarë si Douman dhe Salmon që debutuan me ekipin e parë.

“Shkoi mirë me fitoren dhe gjithashtu një portë të pacenuar. Në përgjithësi një performancë shumë e mirë, shumë e qëndrueshme gjatë gjithë ndeshjes. Patëm shumë ndryshime, por kemi parë lojtarët që luajnë në një nivel shumë të lartë. Një gëzim i madh gjithashtu të shohësh kaq shumë talente të rinj që luajnë në moshën 15, 16, apo 17 vjeç duke performuar në atë nivel”.

Përveç yjeve të akademisë që morën minuta, u shikuan në fushë gjithashtu nënshkrimet e verës, Martin Zubimendi, Kristian Norgard dhe Kepa Arrizabalaga, që luajtën për herë të parë me fanellën e Arsenalit. Trajneri beson se treshja e përforcimeve të reja është ambientuar shpejt dhe i bëri homazh skuadrës së tij ekzistuese që i bëri të ndihen si në shtëpi menjëherë.

“Mendoj se ata u përshtatën shumë shpejt”, – tha ai. – Është një grup i pabesueshëm lojtarësh që kemi dhe ata i kanë bërë të ndihen menjëherë shumë të mirëpritur. Mundët ta shihni se ata ishin shumë të lirshëm, shumë të relaksuar, shumë të sigurt në gjithçka që bënë. Përsëri, shumë pozitive performanca”. Kjo ndeshje shënoi rikthimin e parë në Singapor që nga viti 2018, kur Arsenali e mposhti PSG-në 5-1. Tifozët ishin me forcë të plotë në tadium dhe me një ndeshje të dytë po aty që do të zhvillohet këtë fundjavë kundër Njukasëll, Mikel ishte i kënaqur që i pa përsëri tifozët në Singapor. “Ishte shumë e veçantë, kemi qenë këtu më parë, e dimë sa i veçantë është ky vend për klubin tonë”, shtoi ai.

Nga tani do të vazhdojmë ta zhvillojmë ekipin në drejtimin e duhur, të mbështesim dhe të ruajmë gjërat shumë të mira që po bëjmë në këtë moment. Pa harruar ndryshimet dhe përmirësimet që mund të bëjmë gjithashtu”. Sa i takon sezonit të ri, Arteta është i bindur se “këtë kampionat do të jenë 9 skuadra që do të luftojnë për titullin kampion. Gjithsesi unë besoj se mund ta fitojmë, pasi po bëhemi gjithmonë e më shumë kompetitivë, vit pas viti. Sezonin e kaluar ishim aq pranë finishit në dy kompeticione të mëdha. Tani thjesht duhet të bëjmë hapin tjetër vendimtar”, përfundoi trajneri i Arsenalit.