Nga Maringlen ZHIVANI

Vllaznia është një nga emrat më të njohur të futbollit shqiptar, me një histori të pasur në kampionat, por për sa i përket kompeticioneve europiane, rruga ka qenë gjithmonë e vështirë. Pavarësisht përfshirjeve të shpeshta në Kupat e Europës, kuqeblutë nuk kanë arritur kurrë të kalojnë në turin e tretë të një kompeticioni ndërkombëtar.

Në vitet e fundit, Vllaznia ka tentuar disa herë të bëjë hapin e madh, por është ndalur gjithmonë në turin e dytë. Edhe më parë, pengesat kanë qenë të pakalueshme, qoftë për shkak të kundërshtarëve më të fortë, apo edhe mungesës së eksperiencës ndërkombëtare.

Tashmë, ndeshja e kthimit ndaj Vikingur Reykjavik në Islandë është një tjetër mundësi për të shkruar histori. Me fitoren 2-1 në “Loro Boriçi”, ekipi i drejtuar nga Edi Martini është në garë dhe ka shanse për të ruajtur rezultatin dhe për të realizuar atë që deri tani ka munguar: kualifikimin për herë të parë në turin e tretë të një kompeticioni europian.

Vllaznia ka gjithçka për të luftuar, një grup të harmonizuar, një trajner me përvojë si Edi Martini dhe dëshirën për të thyer këtë tabu historike. Sfida ndaj Vikingur nuk është vetëm një ndeshje, por një përballje me vetë të kaluarën.(www.shkodrasport.com)