Atletët 16 vjeçarë të Vllaznisë kanë dominuar sërish edhe në garat e Kampionatit Kombëtar të Atletikës që u zhvilluan tre ditë më parë (3 maj) në Elbasan dhe si rrjedhojë janë shpallur me meritë si ekipi kampion i Shqipërisë për vitin 2025 me 139 pikë të grumbulluara. Por në fakt përpos djemve, edhe ekipi i vajzave ka bërë një paraqitje të mirë, por ai është renditur në vendin e dytë duke u shpallur kësisoj nënkampion i vendit.
Tek garat e djemve kanë spikatur sidomos disa prej atletëve. Kështu mund të përmendim atletin Andrea Nënshati i cili ka zënë vendin e parë në garën e 110 metrave me pengesa duke u shpallur kampion kombëtar në këtë disiplinë. Po në këtë garë atleti Isli Shurbani ka zënë vendin e dytë. Në garën e 100 metrave ka dominuar atleti tjetër i Vllaznisë Dardan Baraku që është shpallur kampion në këtë garë. Po ky sportist është shpallur kampion edhe në garën e 300 metrave, ndërsa në 800 metra kampion është shpallur sportisti Elsar Balaj.
Sportisti Sulejman Taka ka zënë dy vende të para në garat e kërcimit së gjati dhe në atë të kërcimit së larti duke u shpallur në këtë mënyrë kampion në dy disiplina.
Edhe tek vajzat ka patur sportiste që kanë spikatur. Kështu, atletja Roah Bashli ka zënë vendin e parë në garën e 300 metrave duke u shpallur kampione. Ndërsa Elois Heta ka zënë vendin e parë dhe është shpallur kampione në garën e kërcimit së larti.
Në këtë mënyrë mbyllet një tjetër aktivitet i suksesshëm për atletikën shkodrane dhe titulli kampion me ekipin U16 sigurisht që shkon për të gjithë atletët, por edhe për trajnerët Albert Marashi, Bruno Rrotani, Dorian Tafa dhe Jetmir Jahaj që punojnë pa u lodhur çdo ditë me ta.(www.shkodrasport.com)