Vllaznia u kualifikua për në turin e dytë të “UEFA Europa Conference League” pasi fitoi në Riga ndaj Daugavipls me shifrat 4-2 duke shfuqizuar humbjen 0-1 të sfidës së parë të luajtur në Elbasan. Duke folur në lidhje me këtë kualifikim, gazetari i njohur Ervin Baku ka vlerësuar kuqeblutë për këtë sukses dhe njëkohësisht ka folur edhe për sfidën e turit të dytë ndaj islandezëve të Vikingur.
“Ajo e Letonisë nuk ishte ndeshja më e mirë e Vllaznisë, por ishte një 90 minutësh nga ato që të bëjnë me zemër. Por duhet pranuar se kundërshtari i saj ishte më i dobëti nga ato të skuadrave shqiptare në këtë edicion të Kupave të Europës. Por Vllaznia ia vështirësoi vetes punën për kualifikimin nisur nga shumë arsye, mungesat, moskolaudimi ende siç duhet i skuadrës, gjendja jo e mirë fizike e disa lojtarëve apo dhe shkaqe të tjera.
Si rrjedhojë erdhi ajo humbje në ndeshjen e parë në Elbasan, megjithatë unë besoja tek kualifikimi i skuadrës shkodrane. Megjithatë edhe në ndeshjen e kthimit kur u duk se gjithçka po shkonte ashtu si duhet, pësoi dy gola nga gabime ta pafalshme. Por shkodranët gjetëb forca dhe e kthyen rezultatin.
Fitorja e Vllaznisë është e të gjithë ekipit, e trajnerit Martini, por ka veçanërisht një emër dhe është Kevin Dodaj, i cili u largua si ‘zotëri’. Është transferuar te CSKA Sofia. Realizoi golin e tretë dhe dha një asist të shkëlqyer për golin e përmbysjes. Do të them që Vllaznia bëri detyrën. Nga të gjitha skuadrat shqiptare, Vllaznia e kishte me detyrim kualifikimin.
Gjithçka shkoi shumë mirë dhe tashmë është në turin tjetër. Vllaznia do të ketë përballë një kundërshtar shumë të fortë, i cili vitin e kaluar eleminoi Egnatian nga Conference League dhe në turin e parë këtë vit ‘bombardoi’ me gola Malishevën. Vllaznia nuk është Malisheva. Kam shumë besim te Edi Martini dhe kam shumë besim, për të vetmin fakt se ndeshja nuk luhet në Elbasan, por në Shkodër, në ‘Loro Boriçi’. Dhe në këtë stadium skuadra me mbështetjen e tifozëve të saj tjetërsohet komplet”.