Skuadra e ngjitur këtë sezon në Superligë- Elbasani, ka mbetur pa trajner. Drejtuesit e klubit po shohin të gjitha alternativat e mundshme për të gjetur zëvendësuesin e Nevil Dedes, i cili u largua nga kjo detyrë pak ditë më parë.

Shumë emra janë përfolur për të marrë drejtimin e elbasanasve në sezonin e ri, por deri më tani ende nuk ka asgjë konkrete. Diego Longo ishte emri i fundit që ishte afër kalimit te verdheblutë, porn ë orët e fundit kjo “pistë” ka rënë. Drejtuesit kanë “hequr” dorë nga italiani dhe në këtë mënyrë kërkimet për timonierin e ri do të vazhdojnë.

Siç bëhet me dije drejtuesit kërkojnë një trajner të huaj që në të kalurën ka drejtuar në Superiore, pasi dëshirojnë një emër që e njeh mirë ambientin e Superiores. Java e ardhshme pritet të jetë vendimtare për Elbasanin, që me shumë gjasa do të vendosë për trajnerin që do t’i besojnë skuadrën në elitë.

Po kush do të jetë “timonieri” i ri i kësaj skuadre? Për momentin askush nuk di t’i japë një përgjigje përfundimtare kësaj dileme, megjithatë brenda pak ditësh edhe ajo do të marrë zgjidhje sepse tashmë nuk ka kohë më për të humbur sepse ekipi e ka nisur stërvitjen.