Leonardo Bonucci i nuk ka kursyer kritikat për Juventusin aktual, duke bërë një krahasim të drejtpërdrejtë midis trajnerit Thiago Motta dhe Antonio Contes. Sipas ish-mbrojtësit, Conte është trajneri i vetëm që ka arritur ta bëjë Juventusin menjëherë fitues. Ai nuk e vë në dyshim Motta-n, por thekson që, nëse klubi bardhezi do të kishte dashur të synonte rezultate maksimale menjëherë, zgjedhja për pankinën do të duhej të ishte padyshim Conte.

Megjithatë, Bonucci përpiqet të justifikojë situatën e Motta-s, duke folur për nevojën e kohës dhe besimit pas një ndryshimi kaq radikal në skuadër. Barazimi me Torinon dhe humbja në Superkupë ndaj Milanit i kanë thelluar vështirësitë, duke rritur kritikat mbi menaxhimin e ndeshjeve dhe zgjedhjet taktike, si ato të zëvendësimeve gjatë ndeshjeve.

Në ndërhyrjen e tij në “Sky”, Bonucci deklaroi se vetëm Conte ka arritur ta ndryshojë skuadrën bardhezi në kohë të shpejtë, duke e dërguar Juventusin te trofetë menjëherë. Megjithatë, ai ka theksuar gjithashtu se Conte e njihte përmendsh mjedisin bardhezi, pasi kishte pasur karrierë shumëvjeçare te Juve:

“Duhet kohë për të hedhur themelet dhe mbi to ndërtuar gjëra të rëndësishme. Mbaj mend që vetëm një trajner arriti të bënte diçka vërtet të jashtëzakonshme, ky ishte Conte, ai që në vetëm pak muaj e ndryshoi dhe e dërgoi Juvetusin te fitoret. Sidoqoftë, Conte, i cili kishte një karrierë shumë të gjatë te Juventusi, e dinte se çfarë do të thotë ta veshësh këtë fanellë”.

Motta, i cili thotë se nuk është i fiksuar pas fitores, ka kritika kumbuese te veshët. Juventusi i tij është më i keqi në 14 vitet e fundit për sa iu përket rezultateve të arritura deri më tani. Ish-mbrojtësi shton më tej: “Ai është një trajner i madh, që po has disa vështirësi. Ka nisur një rrugëtim dhe dëmtimet e shumta që kanë ndodhur i kanë vënë ‘flakën në rrota’. Mendoj për mungesat e Nico Gonzalez, Bremer, Milik”.

Krahasimi me Artetën dhe atë që ai bëri në krye të “Topçinjve” merret si referencë. Për Bonucci, rruga e ndjekur nga Motta është pak a shumë e ngjashme: “Në këto 4 vite, Arsenali i ka dhënë besim edhe pa fituar trofe. Është e vërtetë që Juve duhet t’i sjellë menjëherë rezultatet pozitive në shtëpi, por ndërtesat nuk ndërtohen në një ditë apo gjashtë muaj, kështu që, e përsëris, duhet kohë. Megjithatë, unë mbetem pozitiv dhe i sigurt për të ardhmen”./telesport/