Pas 114 vitesh histori, Brescia ka falimentuar. Afati për të shlyer borxhet e papaguara në lidhje me kaosin që çoi në penalizimin dhe rënien nga kategoria në fakt ka skaduar dhe afërsisht tre milionë euro (nga një borxh total prej 9 milionë eurosh) të nevojshme për të shmangur masën drastike.
Shuma nuk ka mbërritur në llogaritë e kompanisë nga pronari Massimo Cellino. Një veprim që në thelb i ka “hequr prizën” klubit ku kanë luajtur edhe kampionë të kalibrit të Roberto Baggio dhe Guardiola.
Me rregulloret në fuqi, Brescia tani do të duhet të fillojë nga amatorët, por autoritetet dhe institucionet lokale tashmë po punojnë për të kuptuar se si t’i garantojnë klubit të paktën një të ardhme në Serie C. Ndoshta kthimi te emri i vjetër “Brescia Calcio 1911” ose përfshirja e klubeve të tjera fqinje si Ospitaletto, Lumezzane dhe Feralpisalò.
Falimentimi i Brescias erdhi pas dënimit me gjobë për shkelje administrative që rezultuan në rënie në Serie C. Një procedurë që e përshpejtoi situatën, duke hapur zyrtarisht krizën e klubit dhe ndaj së cilës Cellino iu përgjigj duke iu drejtuar Gjykatës Federale të Apelit dhe duke e deklaruar veten viktimë të një mashtrimi nga një kompani e jashtme, së cilës i ishte drejtuar për transferimin e kredive tatimore të kontestuara.
Për të shmangur kolapsin e Brescias, mijëra tifozë ishin mobilizuar ditët e fundit, por protestat e mbështetësve të Brescias dhe thirrjet e kryetarit të bashkisë nuk ishin të mjaftueshme për të shmangur skenarin më të keq për klubin.