Vllaznia ka marrë një fitore emocionuese me përmbysje në “Loro Boriçi” përballë Vikingur të Islandës, duke hedhur një hap drejt kalimit të turit të dytë të Ligës së Konferencës.

Shkodranët treguan se kërkonin me çdo kusht një fitore përballë publikut të shumtë që kishte mbushur shkallët e stadiumit, por pas një starti të vrullshëm, ata u goditën shpejt nga një gjuajtje me kokë e Gunarson që i dha avantazhin Vikingur. Ky i fundit krijoi edhe raste të tjera përballë Jukajt, por pa gjetur përsëri portën shkodrane në pjesën e parë.

Lëvizjet e Martinit në fraksionin e dytë të lojës bënë punë, edhe pse fillimisht ishin miqtë të cilët rrezikuan përsëri. Bajrami gjeti barazimin pas një goditje këndi e më pas ishte Mala i cili me një gjuajtje të devijuar përmbysi plotësisht rezultatin në favor të shkodranëve.

Kuqeblutë ia dolën të administronin rezultatin dhe të merrnin një fitore që i jep shpresë për kalimin në turin tjetër të këtij kompeticioni.

VLLAZNIA-VIKINGUR 2-1
67′ Bajrami, 75′ Mala / 10′ Gunarson