Trajneri Edi Martini foli në Letoni, pasi Vllaznia siguroi kualifikimin ndaj Daugavpils. Trajneri i kuqebluve iu gëzua fitores 2 me 4 jashtë vendit, për të kaluar në turin e dytë ku do të përballet me Vikingurin. Në fjalët e Martinit kishte edhe fjalë të bujshme ku drejtohej me thumbime.

“Ky kualifikim do të thotë shumë për Vllazninë, me gjithë këto peripeci që kaluam, dëmtime dhe largime, stadiumi, arritëm të bëjmë një ndeshje, sot luajtëm mirë, pavarësisht që sot u shpërqëndruam dhe pësuam dy gola. Nuk dua të ndalem te gabimet. Dua të ndalem te karakteri që djemtë treguan në fushë, nuk demoralizuan, luftuan dhe bravo u qoftë.

Kam dy netë pa gjumë, shyqyr zotit sot kam me fjet pak.

Unë i përshëndes dhe falenderoj të gjithë tifozët që na kanë mbështetur. I them atyre që nxjerrin helm nga goja, helmin që keni nxjerr mbajeni për vete sepse ju infekton juve. Ne nuk na bëjnë asgjë. Ne vazhdojmë të ecim përpara, jemi familje. Sa më tepër pozitivitet edhe atyre që nuk flejnë rehat, kur fitojmë ne.

Fjala kampion është fjalë e madhe. E dëshirojmë i madh dhe i vogël, ka edhe ata që nuk dëshirojnë me thënë të drejtën. Duhet të shohim, derisa të fillojë kampionati duhet të bëjmë përmirësime në ekip, të blejmë lojtarë, të marrim ato që na nevojiten. Duke parë blerjet që do bëjmë, do dalim tek ajo që është ëndrra ime dhe dëshira e të gjithëve me dal kampion. Do luftojmë për të. Megjithatë, derisa ta kompletojmë skuadrën dhe të shohim çfarë bëjnë të tjerët se po investohet shumë, pastaj do flasim për titull. E kam ëndërr në maksimum”- është shprehur trajneri Martini.