Real Madrid po vepron me një ritëm ndryshe këtë verë, me dy marrëveshje tashmë të përfunduara dhe edhe dy të tjera që pritet të konkretizohen përpara Kupës së Botës për Klube. Pas zyrtarizimit të Dean Huijsen dhe Trent Alexander-Arnold, priten edhe marrëveshjet për Álvaro Carreras dhe Franco Mastantuono.

Ky i fundit ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë ditëve të fundit. Pasi Paris Saint-Germain bëri një lëvizje për Mastantuonon, ‘Los Blancos’ reaguan me shpejtësi, duke dërguar skautin kryesor, Juni Calafat, në Buenos Aires për bisedime.

Ai u kthye në Madrid më pak se 48 orë më vonë, me klubin shumë të sigurt për arritjen e marrëveshjes.

Sipas Diario AS, Real Madrid do të përmbushë kërkesat e River Plate dhe do të paguajë 45 milionë euro që përbëjnë klauzolën e lirimit të Mastantuonos, si dhe taksat shtesë përkatëse.

‘Los Blancos’ janë në fazën finale të detajeve për mënyrën se si do të strukturohet pagesa, duke kërkuar një zgjidhje më të përshtatshme sesa pagesa e menjëhershme e klauzolës së lirimit.

Sipas Florian Plettenberg, marrëveshja është vetëm disa orë larg finalizimit, dhe PSG është informuar për këtë.

Mastantuono, i cili pas një bisede me Xabi Alonso ishte i vendosur të luante për Real Madridin, pezulloi bisedimet me klubin francez deri në përfundimin e negociatave me ‘Los Blancos’.

Mastantuono ka arritur tashmë marrëveshje personale me Real Madrid për një kontratë gjashtëvjeçare. Ai pritet të luajë në Kupën e Botës për Klube me River Plate dhe më pas do të finalizojë kalimin e tij ose në gusht ose në janar.

Kjo mbetet një nga çështjet e fundit që duhet të zgjidhen, Mastantuono mbush 18 vjeç më 14 gusht, prandaj transferimi nuk mund të realizohet përpara kësaj date, për shkak të kufizimeve të FIFA-s lidhur me moshën./Telegrafi/