Nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia vijon kërkimet për përforcime në merkato dhe aktualisht ka marrë në provë dy futbollistë të rinj. Në fakt, bëhet fjalë për Tom Saettel dhe Mert Kurt, të cilët kanë nisur stërvitjet me ekipin në Shkodër, nën vëzhgimin e stafit teknik.
Të dy lojtarët po testohen për të parë nëse do të përshtaten me kërkesat taktike dhe fizike të trajnerit Martini dhe nëse do të bindin, mund të firmosin me skuadrën kuqeblu në ditët në vijim. Saettel dhe Kurt janë futbollistë të rinj që vijnë nga eksperienca jashtë Shqipërisë dhe Vllaznia po i sheh si alternativa të mundshme për të plotësuar organikën e ekipit.
Saettel luan si sulmues i majtë dhe vjen nga ekipi i dytë i Strasburgut, teksa më parë ka qenë pjesë edhe e Kombëtareve të moshave të Francës.
Ndërkohë, Mert Kurt luan si qendërsulmues dhe vjen nga Turqia, teksa në fillim të sezonit të kaluar u bë pjesë edhe e Besës së Kavajës, por gjërat aty nuk shkuan siç duhet dhe preferoi kthimin sërish në vendin e tij, për të ardhur tashmë në provë te Vllaznia.(www.shkodrasport.com)