Zlatan Ibrahimoviç ishte zhdukur prej javësh, që kur Milani kishte filluar të dështonte objektiv pas objektivi, duke e mbyllur sezonin vetëm me Superkupën, jashtë Europës dhe me një kontestim të fortë të tifozerisë.
Por ndryshimet e ditëve të fundit me emërimin e Igli Tares si drejtor sportiv e më pas Masimiliano Alegrit si trajner, duket se kanë “ringjallur” edhe suedezin i cili nëpërmjet rrjeteve sociale ka bërë një mesazh për tifozët e klubit kuqezi.
“Ky nuk ishte sezoni që kishim ëndërruar, nuk ishte ai për të cilin luftuam. Një trofe, një finale Kupe e humbur, nuk është mjaftueshëm për një klub si i yni. Por çdo pengesë ushqen më shumë zjarrin tonë, çdo mësim ndërton të ardhmen tonë.
Ne mund të kemi humbur betejën këtë vit, por e ardhmja do të tregojë kush e fiton luftën. Ne ngrihemi, rritemi dhe kthehemi më të fortë. Forca Milan –gjithmonë”, ishte mesazhi i Ibrahimoviç për tifozët.