Edhe pse e nisi si titullar ndeshjen e mbrëmshme ku Real Madrid fitoi 0-3 ndaj Real Oviedo dhe luajti për 63 minuta, Rodrygo duket se ka vendosur të largohet nga klubi madrilen gjatë kësaj jave, pasi më 1 shtator mbyllet zyrtarisht merkato. Braziliani nuk e priti miri vendimin e Xabi Alonso-s për t’u zëvendësuar dhe reagoi me nervozizëm.
Sipas asaj që raporton “The Athletic”, Rodrygo ka lajmëruar sot dy agjentët e tij, Pini Zahavi dhe Kia Joorabchian, të shqyrtojnë propozimet e ardhura nga ekipet e tjera.
Deri tani për brazilianin ka pasur interes nga Arsenal, Manchester City dhe Liverpool. Mediat spanjolle kanë bërë me dije se Real Madrid nuk do e pengojë largimin e Rodrygo-s, por kjo gjë do të ndodhë vetëm nësë paguhet shifra 100-110 milionë euro për kartonin e tij.
Rodrygo ka vendosur të largohet duke ditur se me Xabi Alonso-n nuk e ka të sigurt vendin e titullarit dhe trajneri bask duket i prerë në vendimet e tij: do luajë ai që e meriton. Në ndeshjen e djeshme, Alexander Arnold dhe Vinicius Junior e nisën nga stoli, për shkak të perfomancave të tyre jo të mira në ndeshjet e mëparshme./telesport/