Nga Maringlen ZHIVANI
Tek Vllaznia kanë filluar largimet e para pas sezonit që u mbyll. Nga sa mësohet nga burime të “Shkodra Sport”, futbollisti i rradhës që ka dalë i lirë nga skuadra shkodrane është Flori Spahija. Burime pranë futbollistit bëjnë me dije se, mbrojtësi ka marrë letrat nga klubi pas përfundimit të kontratës dhe palët kanë mbyllur gjithçka me mirëkuptim.
Tashmë, Spahija është një lojtar i lirë dhe është në kërkim të një klubi tjetër për të vijuar karrierën e tij. Përgjatë këtyre viteve që Spahija ishte pjesë e klubit shkodran, aktivizimi i tij me ekipin nuk ishte ai i duhuri, ku në fakt atij i munguan minutat.
Si pasojë e kësaj, tashmë Spahija ka vendosur që të mos e vijojë më kontratën me Vllazninë dhe duke qenë se është lojtar i lirë, do të shqyrtojë opsionet e tjera për të ardhmen e karrierës së tij. Në fakt, interesimi duket se nuk ka munguar për mbrojtësin shkodran, ku ekipe të ndryshme në Shqipëri kanë shfaqur dëshirën për shërbimet e tij.
Megjithatë, deri më tani, ende nuk ka asgjë konkrete rreth të ardhmes së mbrojtësit shkodran Flori Spahija, i cili në ditët në vijim mund të zyrtarizohet në ndonjë klub tjetër.(www.shkodrasport.com)