Çështja e portierit të ri të Vllaznisë duket se është kthyer në një rebus të vërtetë. Pak ditë më parë në media doli emri i portierit maqedonas Igor Aleksovski si kandidati kryesor për të qenë “gardiani” i portës kuqeblu në sezonin e ri. Por me kalimin e ditëve nuk pati zhvillime në këtë drejtim sepse mesa duket 30 vjeçari maqedonas ka vonuar të kthejë përgjigje.
Si rrjedhojë, drejtuesit kuqeblu kanë menduar një opsion tjetër dhe për këtë arsye ditën e djeshme trajneri Edi Martini ka udhëtuar drejt Kosovës për të ndjekur ndeshjen e barazhit në mes Llapit dhe Vushtrrisë. Synimi kryesor ka qenë për të ndjekur portierin e Llapit Marijan Çoriç.
Madje, gazeta mëson se Martini ka patur një takim pas ndeshjes me këtë portier. Kjo çoi në aludimin se gjithçka do të mbyllej mes palëve dhe mund të ishte ai portieri i ri i Vllaznisë për sezonin e ri. Megjithatë ka sërish zhvillime të reja për çështjen e portierit kuqeblu.
Në gazetën maqedonase “Sport” ka dalë së fundi lajmi se portieri Igor Aleksovski do të udhëtojë drejt Shqipërisë për t’iu bashkuar Vllaznisë. Si rrjedhojë drejtuesit e Rabotniçkit, skuadër me të cilën ai ka luajtur së fundi, kanë menduar menjëherë për zëvendësimin e Aleksovskit dhe e kanë gjetur portierin e ri që do të jetë Vasko Vasiliev i cili njëkohësisht është edhe portier i kombëtares U21 të Maqedonisë së Veriut.
A do të zyrtarizohet Igor Aleksovski te Vllaznia? Kjo mbetet për t’u parë në ditët në vazhdim. Një gjë është e sigurtë që në Shkodër po presin një portier të ri që do të jetë në katërkëndëshin e tyre në sezonin e ri.(www.shkodrasport.com)