Ditën e sotme është ndarë nga jeta në moshën 78 vjeçare një nga emrat e njohur të atletikës shkodrane dhe shqiptare, pikërisht Pjetër Mandi (Çefa). Me këtë rast, në emër të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërme për humbjen e njeriut të tyre të dashur.

Pjetri ka lindur në Hajmel më 15 dhjetor 1946 dhe pasionin e tij për sportin do ta merrte që i vogël dhe si rrjedhojë do të bashkohej me ekipin e Vllaznisë që në vitin 1960 duke dhënë shenjat e një sportisti me të ardhme.

Ai do të përqendrohej fillimisht tek gara e kërcimit së larti dhe më pas tek ajo e hedhjes së shtizës dhe do të shpallej kampion kombëtar me paratërinjtë dhe të rinjtë e Vllaznisë në të dy këto disiplina, ndërkohë që më vonë do të merrte pjesë edhe në 10- garësh.

Pas disa viteve në Shkodër, më pas gjatë periudhës së shërbimit ushtarak ku e dërguan në Marinë, do të bëhej pjesë e ekipit të Partizanit, me të cilin do të arrinte disa rezultate shumë të mira. Në 4 vitet me këtë ekip, Pjetër Mandi (Çefa) do të ishte gjithmonë në vende nderi në garat ku merrte pjesë duke krijuar profilin e një sportisti shumë të mirë.

Pas përfundit të shërbimit ushtarak, Pjetri do të rikthehej në Shkodër për të qenë përsëri pjesë e Vllaznisë bashkë edhe me sportistë të tjerë si Hivzi Kotrri, Llesh Vuksani, Isak Bala, Gëzim Mema, Vildan Tufi, Nazmi Kryeziu, Rasim Kraja, Enver Dervishi, Rrok Hila, etj.

Karriera e tij do të vazhdonte edhe për disa vite të tjera dhe gjithnjë Pjetri do të ishte protagonist në garat e hedhjes së shtizës dhe 10-garësh duke qenë një nga elementët më të spikatur të atletikës shkodrane të viteve ’60-’70. Pas lënies së sportit, ka vijuar të marrë pjesë edhe në garat e veteranëve dhe ka dalë dhe aty kampion duke treguar sërish vlerat e tij.

Duke folur në lidhje me këtë figurë sportive, një nga ish- kolegët e tij, pikërisht Isak Bala për gazetën “Shkodra Sport” do ta përkufizonte në këtë mënyrë atë: “Shpreh keqardhjen për ndarjen nga jeta të tij, por njëkohësisht dua të them se kemi humbur një koleg dhe shok shumë të mirë. Pjetër Mandi (Çefa) ka qenë një sportist shumë i mirë, i cili gjatë gjithë karrierës së tij ka qenë në nivele të larta, por unë dua të ndalem në një aspekt tjetër.

Në atë njerëzor sepse Pjetri ka qenë shumë i veçantë, një djalë shumë i mirë, shumë i rregullt, krijonte raporte të mrekullueshme me shoqërinë dhe ishte shumë i dashur me të gjithë. Edhe njëherë ngushëllime familjes dhe të afërme, por edhe komunitetit të atletikës shkodrane e shqiptare për ndarjen nga jeta të kësaj figure shumë të mirë të saj”.

Ju njoftojmë se ceremonia e përcjelljes së tij për në banesën e fundit do të zhvillohet ditën e nesërme (e mërkurë) në orën 13:00 tek Varrezat Rrmaj. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij! (www.shkodrasport.com)