Pas Kevin Dodajt, klubet europiane po shfaqin interes edhe për të tjerë futbollistë të Akademisëe Vllaznia. Kështu gazeta “Shkodra Sport” në mënyrë ekskluzive mëson se klubi i Superligës greke Panetolikos FC ka shfaqur interes për dy futbollistë 18 vjeçarë shkodranë.
Bëhet fjalë për mesfushorin Sabion Bizi dhe sulmuesin Xhesild Kapllanaj. Të dy ata janë të datëlindjes 2007 dhe po shikohen me prioritet nga drejtuesit e klubit grek. Gazeta mëson se skautë të këtij klubi kanë qenë muajin e kaluar në Shkodër për t’i ndjekur këto dy futbollistë gjatë ndeshjeve të turneut “Shkodra Summer Cup” ku në fakt të dy ato spikatën me Vllaznia U19, që u shpall edhe ekipi fitues i këtij turneu.
Në këto rrethana, drejtuesit e Panetolikos kanë shfaqur interes për t’i patur një javë në stërvitje në Greqi dhe për këtë arsye kanë hyrë në negociata me drejtuesit e Vllaznisë që mësohet të mos jenë shprehur kundër, përkundrazi kanë shprehur menjëherë dëshirën e tyre për të bashkëpunuar.
Duhet thënë se me ndërmjetësimin e dy futbollistëve me klubin grek është marrë menaxheri shkodran Ervis Domnori dhe lajmet duken të mira për të ardhmen e këtyre lojtarëve. Megjithatë e rëndësishme është që ata të bëjnë mirë javën e ardhshme, konkretisht nga data 28 korrik deri më 2 gusht kur ato do të jenë në Greqi për provë.
Ideja e drejtuesve të klubit grek mësohet se është që nëse Bizi e Kapllanaj i kalojnë të gjitha testet, ato të kenë gjetur edhe akordin me drejtuesit e Vllaznisë t’i marrin këto lojtarë dhe në fazën e parë të kampionatit të luajnë me ekipin U19 të tyre ndërsa në janarin e vitit të ardhshëm t’i kalojnë tek ekipi i parë që merr pjesë në kampionatin e Superligës greke.(www.shkodrasport.com)