Nga Gjergj KOLA
Pas Alen Sherrit, një tjetër futbollist shkodran do të luajë në Seria B të Italisë në sezonin e ri. Bëhet fjalë për mbrojtësin Ervin Bashi. Futbollisti që vetëm pas pak ditësh mbush 20 vjeç ka firmosur për skuadrën e Catanzaros.
Kjo e fundit ka arritur akordin me drejtuesit e Pro Patria, skuadër me të cilën ai ka luajtur sezonin e kaluar në Seria C dhe ka bërë paraqitje të mira. Si rrjedhojë është arritur akordi mes klubeve dhe në fund ka ardhur edhe firma e lojtarit me skuadrën e tij të re.
Gazeta “Shkodra Sport” në mënyrë ekskluzive mëson se Bashi ka firmosur për 3 sezone me Catanzaron, me të drejtë zgjatje edhe për një sezon të katërt nëse gjërat shkojnë mirë për të dy palët.
Kujtojmë që Bashi është një futbollist me origjinë nga Shkodra, i lindur në Itali dhe i cili pas disa ekperiencave me ekipe të ndryshme të moshave, ka rënë në sy gradualisht duke fituar edhe vëmendjen e ekipeve të njohura dhe madje ai u bë pjesë e Akademisë së Milanit duke luajtur me skuadrën U18 të tij nga korriku i vitit 2022 deri në qershorin e vitit 2023.
Njëkohësisht, Ervin Bashi vitet e fundit ka qenë rregullisht pjesë e ekipeve tona kombëtare të moshave ku fillimisht ka luajtur me atë U19 nën drejtimin e trajnerit Armando Cungu, ndërsa së fundit u grumbullua me kombëtaren U21 nga ana e trajnerit Alban Bushi. Ai luan në rolin e qendërmbrojtësit dhe dallohet për shtatëlartësinë e tij dhe lojën në ajër
Kuptohet që transferimi në Seria B tek ekipi i Catanzaros do të jetë një mundësi e mirë që ai të tregojë vlerat e tij dhe pse jo, në një të ardhmen të shpejtë të synojë të luajë edhe në elitën e futbollit italian.(www.shkodrasport.com)