Nga Maringlen ZHIVANI
E ardhmja e portierit Kristi Qarri duket se do të jetë larg Vllaznisë. Burime pranë klubit bëjnë me dije për “Shkodra Sport” se gardiani 24-vjeçar është shumë pranë largimit nga kuqeblutë, pas afrimit të portierit gjerman Leon Pohls.
Ky i fundit ka mbërritur në Shkodër për të marrë rolin e titullarit mes shtyllave, duke e bërë edhe më të vështirë hapësirën për Qarrin në formacion.
Në sezonin e kaluar, Qarri ishte portieri i parë deri në momentin që u dëmtua, por konkurrenca e shtuar së fundmi me Pohls e ka shtyrë atë të mendojë për një transferim diku tjetër, për të pasur më shumë minuta në fushë.
Ende nuk është bërë zyrtare ndonjë marrëveshje me ndonjë klub tjetër, por opsionet nuk mungojnë për të. Gjithsesi, situata dhe e ardhmja e Kristi Qarrit pritet të qartësohet në ditët në vijim.(www.shkodrasport.com)