Nga Maringlen ZHIVANI
Klubi i Vllaznisë ka arritur marrëveshje me Skënderbeun për huazimin e sulmuesit Bismark Charles. Nga sa mësohet nga burime të “Shkodra Sport”, ai do të veshë fanellën kuqeblu për dy ndeshjet e Europës që po afrojnë ndaj Vikingur.
Kjo lëvizje është një përforcim i rëndësishëm për Vllazninë, që arrin të sigurojë shërbimet e sulmuesit ganez pas largimit të Kevin Dodajt drejt Bullgarisë. Ky huazim pritet të zyrtarizohet nga klubi shkodran në vazhdim.
Charles është afruar për dy ndeshjet ndaj Vikingur dhe sulmuesi 24-vjeçar pritet të jetë një nga shtyllat kryesore të repartit sulmues për këto dy duele që ekipi kuqeblu do të zhvillojë në Kupat e Europës. Gjatë sezonit të fundit me Skënderbeun, Charles ka qenë një nga futbollistët më të mirë të ekipit korçar, duke u aktivizuar në plot 32-ndeshje të kampionatit.
Performancat e tij kanë tërhequr vëmendjen e drejtuesve të Vllaznisë, të cilët e kanë përzgjedhur si përforcim për ndeshjet ndaj Vikingur. Ky transferim vjen në një moment vendimtar për klubin shkodran, i cili synon të rrisë cilësinë e skuadrës dhe të arrijë rezultate sa më pozitive në arenën europiane.
Afrimi i Charles shihet si një hap i mirë për të forcuar repartin ofensiv pas largimit të Dodajt, në mënyrë që ndeshjet ndaj Vikingur të përballohen me sukses. Charles do të bashkohet që ditën e sotme me ekipin në përgatitjet për sfidat e ardhshme, duke qenë një futbollist i rëndësishëm për objektivat e Vllaznisë këtë verë në Kupat e Europës.