Elbasani ka fituar me Dinamon për javën e tretë të kampionatit dhe është ngjitur në krye të renditjes me shtatë pikë. Blutë luajtën për 60 minuta me dhjetë lojtarë, pas daljes me karton të kuq të Alijit.
Elbasani ka mundur 1-0 Dinamon për javën e tretë të” Abissnet Superiore” dhe është ngjitur në krye të renditjes me shtatë pikë. Një ndeshje e gjallë e plot emocione, e vendosur nga një gol i vetëm, shënuar nga Bunjaku, në minutën e 52-të, por të dyja skuadrat patën raste për gola të tjerë.
Rastin e parë e krijoi Dinamo, që në minutën e parë, por Bernard Berisha, pasi u lirua mirë brenda zonës, gjuajti dobët drejt e në duart e portierit. Elbasani u përgjigj me Bunjakun në minutën e pestë dhe Dinamo me Qardakun, por asnjëri nuk gjeti kuadratin. Në minutën e 25-të, pas një goditjeje nga këndi të Dinamos, Elbasani del furishëm në kundërsulm me Dialo, i cili pengohet nga Aliji.
Gjyqtari Grimçi jep penallti, por pas konsultimit me VAR-in e rishikon aksionin dhe jep goditje të lirë në hyrje të zonës, duke ndëshkuar edhe Alijin me karton të kuq. Në goditjen e lirë që u ekzekutua në minutën e 33-të, Dialo për pak sa nuk shënon.
Në portën tjetër është Gudjabi që gjuan me kokë, gjithashtu mbi tra. Rasti më i mirë i Elbasanit vjen në minutën e 39-të, kur Dialo gjuan, topi devijohet dhe Teqja me këmbë bën mrekullinë. Pas pushimit Elbasani ka dukshëm një marsh më tepër dhe ngulmon fort drejt portës së Dinamos.
Në minutën e 49-të një tjetër mrekulli e Teqjes që shpëton pas gjuajtjes me kokë nga Tsague, dhe në vijimin e aksionit Elbasani kërkon penallti, por fiton vetëm goditje nga këndi. Goli vjen tri minuta më pas, kur Bunjaku gjuan saktë me të majtën dhe Teqja dorëzohet.
Vendasit diktojnë në fushë, por Karramba i afrohet barazimit në minutën e 56-të. Pas disa minutave të shpejta, Elbasani ul ritmin e lojës për të administruar rezultatin, por në minutën e 74-t i duhet një mrekulli nga Janaçek, që grushton topin e gjuajtur nga Teixeira.
Fundi i lojës i përket Dinamos që nuk ka më asgjë për të humbur dhe provon me të gjitha mënyrat. Verdheblutë mbrohen mirë, por në minutën e 94-t Janaçek del gabim pas një krosimi, megjithatë mbrojtja e shpëton duke larguar topin. Elbasani më në fund thyen blutë dhe kap majën, ndërsa Dinamo mbetet me tri pikë, por me një ndeshje më pak.