Nga Maringlen ZHIVANI
Një tjetër lëvizje ka ndodhur në stafin teknik të Vllaznisë B. Ersi Çaku, i cili deri më tani ka mbajtur postin e zv/trajnerit të Vllaznia U-18, tashmë i është bashkuar skuadrës B të kuqebluve, duke qenë si ndihmës i trajnerit të parë Brikeno Bizi.
Në detyrat e tij tek Vllaznia, Çaku ka ndihmuar në zhvillimin e talenteve të rinj, teksa tashmë, me kalimin e tij në ekipin e Vllaznisë B, ai pritet të japë një kontribut të rëndësishëm në ndihmë të Bizit, veçanërisht në integrimin e futbollistëve të rinj.
Çaku do të punojë krah për krah me trajnerin Brikeno Bizi, teksa ky vendim tregon besimin dhe vlerësimin që drejtuesit e klubit kanë për punën që trajneri shkodran ka bërë me ekipet e moshave.
Kjo është një lëvizje që tregon edhe një herë orientimin e klubit drejt promovimit të stafit dhe lojtarëve nga brenda strukturës së tij, duke ndërtuar një model afatgjatë. Për Ersi Çakun, kjo është një mundësi e rëndësishme për të vazhduar rritjen profesionale dhe për të dhënë ndihmesën e tij në objektivat e sezonit të ri.
Vllaznia po i jep gjithnjë e më shumë hapësirë dhe besim trajnerëve të rinj vendas, duke ndërtuar një projekt të afatgjatë për të ardhmen. Ky është një tjetër hap i kuqebluve, të cilët po përpiqen të krijojnë një identitet të qartë dhe të fuqishëm në të gjitha nivelet.(www.shkodrasport.com)