Portugalia është ekipi kampion i Europianit U-17 “Shqipëri 2025”. Luzitanët mundën në “Arenën Kombëtare” Francën me rezultatin 3-0, në një finale spektakolare dhe të dominuar nga ata.

Ndeshja nisi e qetë nga të dyja skuadrat, por me kalimin e minutave Portugalia e rriti ritmin dhe gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 30-të me Anisio Cabral.

Luzitanët shfrytëzuan momentin e mirë dhe shënuan golin e dytë në të 38-ën me Duarte Cunha. Pjesa e parë u mbyll 2-0.

Në fraksionin e dytë, portugezët vulosën fitoren në minutën e 60-të me Gil Neves, i cili shënoi golin e tretë për Portugalinë.

Deri në fund rezultati nuk ndryshoi dhe finalja e Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025” u mbyll me fitoren e Portugalisë 3-0.

Mbyllet këtu Europiani historik i zhvilluar në Shqipëri, ku për dy javë kryefjala në vendin tonë ishte futbolli.