Nga Maringlen ZHIVANI
Edhe pse arriti një fitore me “zemër në dorë” në ndeshjen e parë të turit të dytë të Conference League, ku me përmbysje mposhtën islandezët e Vikingur Reykjavik, te Vllaznia duket se nuk ka aspak vend për eufori. Festa dhe gëzimi janë lënë pas dhe euforia duket në doza shumë të ulëta në kampin e kuqebluve.
Trajneri Edi Martini, stafi teknik dhe ai drejtues duket se janë të gjithë në një linjë, duke mbajtur ekipin me “këmbë në tokë”. Në fakt, edhe vetë futbollistët janë të vetëdijshëm se gjithçka është ende e hapur dhe sfida e kthimit në Islandë do të jetë vendimtare. Trajneri Edi Martini ka theksuar rëndësinë e qëndrimit me këmbë në tokë, ndërsa skuadra ka nisur menjëherë përgatitjet për sfidën e dytë.
Kështu, përqendrimi do të jetë maksimal në ndeshjen e kthimit me Vikingur në turin e dytë të Conference League, ku shkodranët do të përpiqen edhe për një surprizë tjetër, që do të ishte historike dhe pastaj mund të festohet siç duhet.
Gjithsesi, për fitoren e ndeshjes së parë, festa dhe gëzimi ishte i limituar te Vllaznia, nisur edhe nga vetë fakti që nuk ka përfunduar asgjë. Synimi është i qartë: të mos shpërdorohet avantazhi dhe të tregohet karakter në fushën e vështirë të Vikingurit.(www.shkodrasport.com)