Barcelona dhe Interi do të përballen të martën në një duel epik për një vend në finalen e Champions League, e cila do të luhet më 31 maj në Mynih. Pas barazimit 3-3 në gjysmëfinalen e parë, gjithçka mbetet e hapur. Të dy trajnerët kanë bërë lëvizje të mëdha për të mbërritur të freskët në këtë sfidë vendimtare.
Flick synon tripletën, ndaj i kurseu titullarët ndaj Valladolidit, duke bërë 9 ndryshime në formacionin startues. Vetëm Gerard Martín dhe Pedri ruajtën vendin e tyre nga finalja e Kupës së Mbretit dhe sfida e parë gjysmëfinale kundër Interit. Megjithatë, gjermanit iu desh të përdorte yjet si Lamine Yamal, Raphinha dhe De Jong në pjesën e dytë për të siguruar fitoren dhe për ta mbajtur ritmin në rrugën e titullit të La Liga-s.
Në anën tjetër, Inzaghi bëri edhe më shumë rotacion, me 10 ndryshime në fitoren minimale ndaj Hellas Verona. Vetëm Bisseck ishte në fushë nga ata që e nisën titullarë ndaj Barcelonës në Montjuïc. Të gjithë të tjerët u kursyen për përplasjen e madhe së së martës në “San Siro”.
Barcelona kërkon finalen e nëntë në Champions, pas viteve historike si 1961, 1986, 1992, 1994, 2006, 2009, 2011 dhe 2015. Me 5 tituj, skuadra katalanase është ndër më të suksesshmet në Europë. Interi, nga ana tjetër, ka luajtur 6 finale dhe ka fituar 3 prej tyre, e fundit në vitin 2010.
Lautaro Martinez mbetet në dyshim, pasi nuk ishte në pankinë ndaj Veronës për shkak të një shqetësimi muskulor. Ai u dëmtua në ndeshjen e parë gjysmëfinale ndaj Barçës, ndaj pritet të vendoset në orët e fundit nëse do të jetë gati apo jo për të martën. Në Katalonjë mendojnë se do të luajë, presin që Inzaghi të hedhë gjithçka në fushë, ashtu si edhe Flick.
Një përballje që premton spektakël dhe që do të hyjë në historinë e Champions-it për njërën nga këto dy skuadra./telesport/