Hansi Flik rinovoi të mërkurën kon tratën e tij me Barcelonën. Gjermani e ka zgjatur kontratën e tij edhe me një vit tjetër, e cila skadon në vitin 2027. Trajneri nënshkroi marrëveshjen e tij të re në zyrat e klubit pas një takimi ku morën pjesë presidenti Joan Laporta, drejtori sportiv Deko, drejtori Bojan Kërkiç, vetë Flik dhe agjenti i tij, Pini Zahavi.

Në përfundim, trajneri shprehu kënaqësinë e tij për marrëveshjen: “Jam i lumtur që ky rrugëtim vazhdon”. Duke folur pas rinovimit të tij, edhe njëherë Flik ka lënë mënjanë egoizmin, duke ua faturuar suksesin lojtarëve. Flik theksoi ekipin që ka qenë çelësi i suksesit të tyre. “Ndiej sikur nuk jemi në fund të rrugës, por vetëm në fillim, sepse ky ekip ka potencial për shumë më tepër. Është një ekip i ri që ka merituar gjithçka që kemi arritur këtë sezon dhe jam shumë i lumtur që po punoj me ta. Më pëlqen të jem në Barcelonë dhe të punoj në këtë klub të jashtëzakonshëm dhe, sigurisht, me të gjithë këta lojtarë. Kemi një marrëdhënie shumë të mirë”, nënvizoi trajneri i Barcelonës.

Por Flik nuk i ndryshon asnjë presje filozofisë së tij, se vetëm puna do ta çojë në maja ekipin. Ai pranon se skuadra duhet të përmirësohet dhe se Barça duhet të fitojë të tjerë tituj. “Kemi mbyllur një sezon të suksesshëm. Por ky është fillimi i një sezoni të ri. Që do të thotë se duhet të punojmë edhe më shumë, sepse gjithçka fillon nga e para. Gjithashtu e di që duhet të përmirësohemi dhe do ta bëjmë. Dua t’u them tifozëve se sezonin e ardhshëm do të punojmë shumë dhe do të përpiqemi me gjithçka. Duam të përmirësohemi për të fituar më shumë tituj. Kjo është Barça, duhet të fitojmë tituj”, deklaroi gjermani.

Për rinovimin e trajnerit gjerman ka folur dhe presidenti Joan Laporta i cili shprehu gjithashtu kënaqësinë e tij në rrjetet sociale për vazhdimin e trajnerit. “Hansi, faleminderit që vazhdon të përmirësosh historinë e Barcelonës, klubit më të mirë në botë. Tifozët e Barcelonës të duan dhe të besojnë që do të vazhdosh t’i udhëheqësh lojtarët tanë drejt fitores!”-shkroi Laporta në profilin e tij në rrjetet sociale.