Nga Endri ÇINARI

Pavarësisht se kampionati ende nuk ka përfunduar në Superiore, ku Vllaznia lufton për titullin kampion, një mendje shkon edhe tek sezoni i ardhshëm për shumë skuadra. Ku që nga muaji qershor do nisin përgatitjet e skuadrave për pjesëmarrjet në kupat europiane e po ashtu merkato për përforcimin e ekipeve.

Kështu një nga skuadrat e cila mund të “sulmohet” për elementët e saj të spikatur në Shqipëri është Skënderbeu. Korçarët u rrëzuan nga Superliga dhe tashmë rrezikojnë të privohen nga disa prej futbollistëve të tyre më cilësorë. Një prej tyre është edhe Ardit Nikaj, sulmuesi shkodran i bardhekuqve. 23-vjeçari që prej 4 sezonesh është pjesë e korçarëve, ku ka zhvilluar gjithë karrierën si profesionist deri më tani mund të ndajë rrugët me “ujqërit”, shkruan shkodrasport.com

Interesimi për të është i madh, nga skuadra brenda, por edhe jashtë vendit. Me drejtuesit e ekipit të Skënderbeut që duan të përfitojnë me një transferim jashtë vendit të sulmuesit. Ku në të shkuarën korçarët kanë treguar se janë me të vërtetë të aftë në reklamimin dhe shitjen e elementëve të tyre më cilësorë. Kështu Nikaj duket se do jetë i rradhës që mund të largohet nga qyteti jug lindor.

Por pavarësisht se qëllimi është për një transferim jashtë vendit, duket se edhe Vllaznia ka një “sy” dhe “vesh” tek Nikaj. Të cilit me siguri do i propozohet një ofertë në përfundim të sezonit, ku vëmendja e vetme e Vllaznisë në këto çaste është fitimi i kampionatit. Në edicionin që po lëmë pas, Ardit Nikaj zhvilloi 24 ndeshje duke shënuar 5 gola dhe asistuar 3 të tillë për Skënderbeun.(www.shkodrasport.com)