Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka reaguar me shumë kënaqësi pas paraqitje të Erling Haaland, duke e vlerësuar norvegjezin si sulmuesin më të mirë në botë. Arsyeja lidhet me deklaratën e teknikut të Liverpoolit, Arne Slot, i cili së fundmi kishte thënë se Alexander Isak është sulmuesi më i mirë aktualisht.
Gazetarët anglezë i kërkuan Guardiolës të bënte një krahasim mes golashënuesit të tij dhe yllit të ri të Liverpoolit, Alexander Isak. Spanjolli nuk e fshehu respektin për suedezin, por theksoi se për të nuk ka askënd më lart se Haaland.
“Unë e vë Haalandin pak më lart. Isak është një lojtar i jashtëzakonshëm, por më pyetët për Erlingun dhe ai është i klasit të parë”, u shpreh Guardiola.
Më pas ai shtoi edhe më tej vlerësimin për sulmuesin norvegjez, duke bërë një deklaratë që befasoi jo pak.
“Isak është padyshim lojtar i madh, për këtë arsye e kanë paguar kaq shumë. Dikush tjetër mund të përmendë Mbappenn, Messin ose Cristiano Ronaldon, por unë nuk do ta ndërroja Erlingun me askënd. Për mua, ai është më i miri”, nënvizoi Guardiola.
Haaland iu bashkua Manchester Cityt në vitin 2022 nga Borussia Dortmund dhe që atëherë ka qenë lideri i golave për “Citizens”. Deri tani ka zhvilluar 149 ndeshje dhe ka shënuar plot 127 gola me fanellën e kampionëve të Anglisë. Sezonin e ri e ka nisur në formë të shkëlqyer, duke realizuar tre gola në tri ndeshjet e para të Liga Premier. /Telegrafi/