Real Madrid ka bërë 4 transferime të bujshme deri tani dhe nuk ka ndërmend të ndalet me kaq. Kërkesa e radhës e Xabi Alonso është për një mesfushor, që me siguri Perez do ia plotësojë.

Por, klubi madrilen nuk mendon vetëm për merkaton e kësaj verë, por edhe atë të verës së ardhshme. Dayot Upamecano, aktualisht mbrojtës i Bayern Munich, është futur në radarin e Real Madridit si një nënshkrim i mundshëm për të forcuar mbrojtjen e tyre për sezonin e ardhshëm. Qendërmbrojtësi francez 26-vjeçar mbetet nën kontratë me klubin bavarez deri në vitin 2026, por nuk ka shenja për një rinovim të mundshëm mes palëve.

Ndaj, Real Madrid kërkon të përfitojë nga situata aktuale dhe të arrijë marrëveshjen për kushtet personale me lojtarin dhe më pas verën e ardhshme të vijë si lojtar i lirë. Tashmë kjo është një strategji që klubi madrilen e ndjek prej vitesh dhe deri tani ka rezultuar e suksesshme.

Ndërkohë te Bayern, nuk po mendojnë për një largim të mundshëm të francezit këtë verë, por shpresojnë të gjejnë gjuhën e përbashkët me të për të rinovuar.

Përveç Upamecano, Real Madrid synon të transferojë edhe një tjetër qendërmbrojtës francez po falas verën e ardhshme, siç është Ibrahima Konate, i cili ka refuzuar rinovimin me Liverpool./telesport/