Juventusi është venë në kërkim të përforcimeve në merkato, por duke i kombinuar ato me largime të futbollistëve që nuk janë pjesë e projektit të ri dhe nuk pritet të kenë rol të rëndësishëm nën urdhrat e trajnerit Igor Tudor.
Një nga këto emra është padyshim Dushan Vlahoviç, i cili nuk bën pjesë në planet e teknikut dhe në vitin e fundit të kontratës së tij, palët nuk kanë ndër mend të rinovojnë. Ndaj Juventusi po mendon t’i gjejë një sistemim tjetër serbit dhe tashmë ka ideuar një shkëmbim të mundshëm të tij me një futbollist që kërkon nga Atletiko Madrid.
Bardhezinjtë kanë piketuar argjentinasin Nahuel Molina dhe sipas “Gazzetta Dello Sport”, shohin anësorin e djathtë si një emër që mund të bëjë mirë në radhët e klubiy italian. Fakti se Kampioni i Botës me Argjentinën nuk është më titullar te Atletiko, mund të ndihmojë Juventusin, që gjithsesi nuk është gati të shpenzojë shifra të mëdha për ta afruar.
Në vend të shumave të caktuara, ata i kanë ofruar Atletikos një shkëmbim të tij me Vlahoviç, ose me emra si Niko Gonzalez apo Ueston MekKeni, të cilët gjithashtu duket se nuk janë pjesë e projektit të ri.