Juventusi vazhdon “spastrimin” e radhëve të tij, duke larguar lojtarë të cilët nuk janë pjesë e planeve të trajnerit Igor Tudor.
Ky i fundit ka një telash më pak, pasi sot është zyrtarizuar transferimi përfundimtar i anësorit të sulmit, Samuel Mbangula, në radhët e Verder Bremenit.
Belgu 21-vjeçar kishte shpërthyer në radhët e ekipit të parë të Juventusit, por duket se nuk ishte ndër idetë e Tudor për mënyrën e lojës. Ndaj ai është transferuar përfundimisht në radhët e klubit gjerman për 10 milionë euro, me 2 milionë euro të tjera të cilat janë vendosur në formë bonusesh.
Këto të ardhura kanë qenë edhe oksigjen për arkat e klubit, pasi lojtari ka qenë pjesë e akademisë së bardhezinjve që nga viti 2020 dhe më pas ia doli të bënte hap pas hapi deri në ekipin e parë.