HomeBOKSKampionati Botëror nis mirë për boksierët shqiptarë, trajneri Gjoni: Synojmë të tjera...

Kampionati Botëror nis mirë për boksierët shqiptarë, trajneri Gjoni: Synojmë të tjera fitore

Ka startuar ditën e djeshme në Liverpool të Anglisë Kampionati Botëror i Boksit, event në të cilin merr pjesë edhe kombëtarja shqiptare e drejtuar nga kryetrajneri Zef Gjoni dhe trajnerët e tjerë Jetmir Kuçi dhe Sead Bushati dhe në përbërje të së cilës janë sportistët Ardit Murja (pesha 55 kg), Ani Haxhillari (pesha 60 kg), Senad Drini (pesha 75 kg), Amar Koçi (pesha 80 kg) si dhe boksierja Esmeralda Novruzaj (pesha 65 kg).

Në ditën e parë të këtij eventi shumë të rëndësishëm janë ngjitur në ring tre boksierë të kombëtares tonë. Ardit Murja është ndeshur me anglezin Ellis Throwbridge dhe ka humbur përballë tij, ndërkohë që dy boksierët e tjerë kanë triumfuar. Kështu Ani Haxhillari ka mundur estonezin Nikolai Tsaskin, ndërsa Amar Koçi ka fituar ndaj irlandezit Meysam Gheshlaghi.

Sot në ring është rradha e boksieres Esmeralda Novruzaj për t’u ndeshur me austriaken Marissa Williamson. Sa i takon boksierit shkodran Senad Drini, ai ka qenë me fat sepse shorti i peshës deri 75 kg e ka kualifikuar direkt për në turin e dytë të këtij Botërori.

Kryetrajneri i kombëtares shqiptare Zef Gjoni në një prononcim nga Anglia për Gazeta “Shkodra Sport” është shprehur shumë entuzias për paraqitjen e boksierëve tanë në këtë eveniment shumë të rëndësishëm.

“Mendoj se e kemi nisur shumë mirë këtë Kampionat Botëror dhe treguesi më i mirë janë fitoret e Ani Haxhillarit dhe Amar Koçit në ndeshjet e para. Ne pretendojmë edhe tek boksierja Novruzaj, ashtu si dhe tek Senad Drini që ka kaluar në turin e dytë. E rëndësishme është që boksi shqiptar të lërë gjurmë në këtë eveniment shumë të rëndësishëm ku marrim pjesë dhe për këtë dua të falenderoj edhe Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe Federatën e Boksit që na e mundësuan këtë pjesmarrje”- ka deklaruar Zef Gjoni.(www.shkodrasport.com)

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments