Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, do të mungojë në ndeshjen kundër Letonisë, pasi ka plotësuar numrin e lejuar të kartonëve. Ai u ndëshkua me karton të verdhë në sfidën ndaj Serbisë, e cila përfundoi me barazim pa gola 0-0.

Për zëvendësimin e tij, trajneri Sylvinho ka lënë të kuptohet se Adrian Bajrami është kandidati kryesor për të marrë vendin në mbrojtje. Mbrojtësi i ri ishte mbrëmë në tribunë, por pritet t’i shtohet grupit të lojtarëve për sfidën e radhës.

“Nesër do të shohim gjithçka. Tani kemi pesë qendërmbrojtës, përfshirë edhe Adrian Bajramin, që po më çmend, po luan shumë mirë,” u shpreh trajneri brazilian pas ndeshjes ndaj Serbisë.

Sylvinho shtoi gjithashtu se Bajrami do të udhëtojë në SHBA pas ndeshjes ndaj Letonisë, për të qenë pjesë e Benficës në Botërorin e klubeve, por deri atëherë do të jetë në dispozicion të Kombëtares.

Trajneri u shpreh i kënaqur me alternativat në repartin defensivë dhe theksoi se stërvitja e radhës do të jetë vendimtare për të vendosur formacionin.

Tashmë, me mungesën e Gjimshitit, Bajrami pritet të zbresë në fushë nga minuta e parë, duke marrë një rol të rëndësishëm në një ndeshje ku Kombëtarja kërkon vetëm fitoren. /Telegrafi/