Nga Endri ÇINARI

Bekim Balaj arriti ta mbyllte sezonin në Superiore me 19 gola të shënuar, duke fituar kështu për herë të dytë rradhazi “Këpucën e Artë”. Trofe që i jepet golashënuesit më të mirë në fundin e edicionit. Në këtë mënyrë, 34-vjeçari madje përmirësoi edhe statistikat e sezonit të shkuar, ku e mbylli me 17 gola të shënuar në total.

Por, ish-sulmuesi i Akhamat me këtë trofe individual barazoi edhe golashënuesin më të mirë në historinë e kampionatit shqiptar, Vioresin Sinanin. Kjo pasi vetëm Balaj dhe tashmë drejtori teknik i Vllaznisë kanë arritur të fitojnë dy herë trofeun e “Këpucës së Artë” me Vllazninë në historinë 106-vjeçare të klubit shkodran.

“Ujku” siç njihet Sinani në Shkodër ka fituar këtë trofe në sezonet 2007-08 ku e mbylli me 20 gola në total. E po ashtu në sezonin 2003-04, ku e gjeti rrjetën 36 herë, një rekord i futbollit shqiptar ende i pathyer edhe sot. Kështu edhe Balaj shkruan emrin përkrah Sinanit, si të vetmit futbollistë që kanë fituar “Këpucën e Artë” dy herë me fanellën kuqeblu.

Një statistikë interesante që lidhet edhe me trajnerin aktual të Vllaznisë, Edi Martinin është se edhe ai në edicionin 1993-94 arriti të fitonte “Këpucën e Artë” me 14 gola të shënuar.